Mbledhja e katërt e KKZHE-së (me përbërje të re)

Mbledhja e katërt e KKZHE-së (me përbërje të re)

10/11/2019 - 22:56

Takimi i katërt (me përbërje te re) – 11 dhjetor 2015

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, mori pjesë në takimin e radhës të Këshillit Kombëtar për Zhvillim Ekonomik, ku u diskutua për hapat e mëtejmë në avancimin e reformave për zhvillimin ekonomik të vendit.

Kryeministri Mustafa vlerësoi se viti që po përmbyllet ka qenë një vit i vendimeve të mëdha, dhe një vit I ndryshimeve të mëdha në Kosovë. “Vit i përqendrimit në objektivat zhvillimore, i përmirësimit të ambientit të biznesit, i krijimit të urave të komunikimit me bizneset, dhe përfundimisht vit i nënshkrimit të Marrëveshjes për Stabilizim dhe Asociim me Bashkimin Evropian. Ne vlerësojmë, se këtë vit do të arrijmë të realizojmë një rritje premtuese ekonomike, e cila pastaj mundëson që në vitet e ardhshme kjo rritje të jetë edhe më e lartë, dhe që do të mundësoj zhvillim të disperzuar ekonomik, dhe gjenerim të punësimit”, tha kryeministri Isa Mustafa.

 Ministrja e Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë, Hykmete Bajrami, tha se në mes të dy mbledhjeve të Këshillit kanë ndodhur zhvillime të rëndësishme në vend dhe janë marrë një sërë vendimesh që e kanë përmirësuar edhe më shumë klimën e të bërtit biznes.

 Duke i përmendur disa prej tyre, ministrja Bajrami veçoi nënshkrimin e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit që paraqet marrëveshjen e parë kontraktuale në mes të Republikës së Kosovës dhe Bashkimit Evropian.

Ministrja, po ashtu, theksoi publikimin e Raportit të Bankës Botërore për të bërit biznes në vitin 2016, ku Kosova është ranguar në pozitën e 66-të nga 189 vendet e botës.

“Kjo dëshmon për progresin dhe implementimin e reformave dhe për përmirësimin e klimës së të bërit biznes dhe klimës së investimeve në vendin tonë”, tha ministrja e MTI-së, Hykmete Bajrami.