Mbledhja e shtatë e KKZHE-së ( me përbërje të re)

Mbledhja e shtatë e KKZHE-së ( me përbërje të re)

10/11/2019 - 22:55

Takimi i shtatë (me përbërje te re) – 19 dhjetor 2016

Më 19 dhjetor 2016, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, mori pjesë në takimin e shtatë të Këshillit Kombëtar për Zhvillim Ekonomik, ku u diskutua për avancimin e agjendës ekonomike.

Kryeministri Mustafa, në hapje të punimeve të këshillit, ka folur për zhvillimet dhe arritjet evidente ekonomike të Kosovës.  Duke theksuar arritjet në krijimin e një ambienti të favorshëm për të bërë biznes, kryeministri Mustafa veçoi rezultatet e arritura përmes politikave fiskale, të cilat janë ndërtuar deri më tani dhe të cilat janë të favor të prodhimeve vendore.

Ai poshtu theksoi se: Ky Këshill, por edhe format e tjera të angazhimit tonë, kanë kontribuar që ne të mbajmë zhvillimin ekonomik si prioritet tonin themelor dhe poashtu të tregojmë rezultate të caktuara, të cilat karshi ambientit në të cilin ne jemi, janë mjaftë mirë dhe inkurajuese edhe në të ardhmen.

Me këtë kemi arritur që prioritetin e zhvillimit ekonomik ta kemi si çështje të parë, edhe përkundër një ambienti politik në të cilin kemi vepruar, e që s’ka qenë shumë i përshtatshëm për këtë.

Në këtë takim ju urua mirëseardhje Këshillit të Forumit Ekonomik të Grave në këtë Këshill, i cili forum për herë të parë po merr pjesë në këtë Këshill dhe do të jetë anëtare e tij. Qëllimi është që ne të fuqizojmë rolin e grave në zhvillimin ekonomik, të sigurojmë pjesëmarrjen e tyre në ndërtimin e politikave ekonomike dhe në interpretimin dhe korrigjimin e ambientit politik, në të cilin ne tani ndodhemi.

Konsideroj që ne kemi arritur të krijojmë një ambient të favorshëm për të bërë biznes, qoftë përmes politikave fiskale, të cilat i kemi ndërtuar deri më tani dhe të cilat janë të favor të prodhimeve vendore në krahasim me ato që i kemi pasur më parë, qoftë edhe si interaksion yni në politikat e përgjithshme ekonomike në regjion.

Nga takimi që ne kemi pasur herën e kaluar të Këshillit Kombëtar për Zhvillim, unë dëshiroj të ndalem në disa procese aktuale. Ndërkohë kemi mbajtur takimin e parë të Këshillit të Stabilizim-Asociimit në Bruksel dhe kemi nënshkruar një marrëveshje kornizë me Bashkimin Evropian, e cila i jep qasje Kosovës në programet e BE-së, disa prej të cilave janë të rëndësishme për bizneset kosovare, si është "Cosme”, “Horizont”, e të cilat iu ofrojnë ndihma financiare të drejtpërdrejta ndërmarrjeve. Ky nënshkrim do të ndikojë që ne të kemi qasje më të shpejtë në këto fonde.

Pastaj, kemi pasur një përmirësim të Kosovës në raportin e Bankës Botërore të të bërit biznes. Kosova është renditur në vendin e 60 nga ai 66 që ka qenë më parë, ndërsa progrese të veçanta kemi treguar në indikatorët që kanë të bëjnë me fillimin e biznesit në tregtinë përtej kufijve dhe me pagesat e tatimeve që janë tri fusha shumë të rëndësishme për ne.

Ndërkaq, për vitin e ardhshëm janë një numër i projekteve që ne planifikojmë t’i mbështesim qoftë me donacione, qoftë me forma të tjera, sidomos në fushën e bujqësisë, në të cilën është bërë një e arritur shumë e madhe deri më tani, sepse kemi arritur që gati t’i plotësojmë kërkesat e tregut të brendshëm kërkesat e tregut të brendshëm me drithëra që prodhohen në Kosovë. Është arritur që të prodhohen produkte bujqësore, të cilat janë konkurruese me vendet e tjera dhe unë falënderoj në këtë rast, veçmas, përkrahjen e USAID-it tek produktet e reja, me të cilat ne kemi arritur të depërtojmë në tregun e jashtëm dhe të krijojmë një kulturë të re të kultivimit të këtyre produkteve, si dhe ministrin e Bujqësisë, i cili është këtu me ne.

Ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Hykmete Bajrami, tha se Këshilli Kombëtar për Zhvillim Ekonomik të Kosovës, që kryesohet nga Kryeministri i Republikës së Kosovës është shndërruar në një mekanizëm mjaft funksional të dialogut publik-privat, i cili po punon në përmirësimin e mjedisit afarist në vend, si një prej top prioriteteve të Qeverisë së Kosovës e cila udhëhiqet nga kryeministri Mustafa.    

“Gjatë këtij viti, siç jeni në dijeni, janë shënuar një varg zhvillimesh pozitive lidhur me avancimin e agjendës sonë ekonomike, dhe me këtë rast, dua të falënderoj Kryeministrin e vendit për lidershipin e tij, kolegët nga KKZHE për angazhimin e tyre, si dhe asociacionet e biznesit të cilët kanë qenë mjaft aktive, bashkëpunuese dhe konsktruktive duke kontribuar kështu në thellimin e dialogut me institucionet qeveritare në funksion të lehtësimit të punës së bizneseve dhe krijimit të politikave në favor të bizneseve nga vendi dhe tërheqjes së investitorëve nga jashtë”, tha ministrja Bajrami. 

Ministrja Bajrami u bëri thirrje të gjithë anëtarëve të KKZHE-së por edhe katër Task Forcave në kuadër të ministrive për përmirësimin e ambientit të biznesit që të bëjnë përpjekjet maksimale për përmirësimin e indikatorëve.

“Inkurajoj të gjitha ministritë dhe udhëheqësit e Task Forcave që të bëjmë përpjekje që t’i përmbahemi afateve me të cilat jemi pajtuar në mbledhjen e parë për ciklin e dytë të reformave. Siç tha edhe kryeministri kemi pasur përmirësim në tre indikatorë, por kjo nuk është e mjaftueshme. Ne dëshirojmë që të kemi përmirësime në të gjithë indikatorët. Tanimë raporti i Bankës Botërore rendit ambientin e biznesit në krahasim me vendet fqinje dhe ne duhet të jemi konkurrent në mënyrë që të përmirësojmë indikatorët tanë”, tha ministrja Bajrami, duke shtuar se vitin tjetër kur fillojnë sigurimet shëndetësore ka gjasë që nëse nuk arrihet progres në indikatorët tjerë të pësohet regres sa i përket raportit të Bankës Botërore për të bërë biznes.

Ministrja Bajrami, po ashtu, inkurajoi të gjithë ministrat që janë udhëheqës të Task Forcave të ndryshme për indikatorë të të bërit biznes që të japin maksimumin që ne masat afatshkurtra t’i përmbyllim deri më 28 shkurt 2017, ndërsa masat tjera që nuk mund të realizohen afati është deri më 31 maj 2017.