Takimi i parë me përbërje të re i Këshillit Kombëtar për Zhvillim Ekonomik

Takimi i parë me përbërje të re i Këshillit Kombëtar për Zhvillim Ekonomik

20/10/2019 - 23:12


Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, mori pjesë në mbledhjen e Këshillit Kombëtar për Zhvillim Ekonomik të Kosovës (KKZHE).

Në këtë mbledhje të parë në përbërje të re, ku morën pjesë ministra, përfaqësues të Bashkimit Evropian, udhëheqës të asociacioneve të biznesit dhe anëtarë të tjerë të KKZHE-së, u shqyrtuan përgatitjet për Strategjinë Kombëtare për Zhvillim, Programi Qeveritar 2015-2018 sfidat dhe adresimi i tyre si dhe tema të tjera të rëndësishme për zhvillimin ekonomik të Kosovës.

Kryeministri Mustafa në fjalën tij tha se Qeveria ka themeluar Këshillin Kombëtar për Zhvillim Ekonomik. Është ky një forum shumë i rëndësishëm për ne, ku Qeveria dhe përfaqësues të bizneseve së bashku mund të shqyrtojnë dhe të adresojnë sfidat e tanishme dhe sfidat e ardhshme të zhvillimit të vendit tonë.

Ne me këtë synojmë fuqizimin e dialogut me sektorin privat, në drejtim të dizajnimit dhe të zbatimit të politikave zhvillimore të vendit.

Në Programin e Qeverisë kemi theksuar shumë qartë se zhvillimi ekonomik, promovimi i punësimit dhe rritja e mirëqenies, do të bazohen kryesisht në iniciativa private, konkurrencën dhe tregun e hapur, si forca kryesore që sigurojnë prosperitet ekonomik.

Në këtë aspekt, roli i Qeverisë do të jetë në ofrimin e kornizës institucionale, me qëllim të sigurimit të kohezionit të brendshëm të ekonomisë dhe të shoqërisë. Mendojmë se këto janë themelet më të forta që një Qeveri mund t’i ndërtoj, me qëllim të ndjekjes së reformave të rëndësishme për zhvillimin e vendit.

Ne jemi të bindur se dialogu me sektorin privat, krijon baza për politika të favorshme të tregut, të cilat politika thellojnë reformat ekonomike dhe rrisin konkurrencën në treg.

Në këtë kuadër, ne dëshirojmë që përmes aktivizimit të këtij Këshilli të punojmë së bashku në përmirësimin e klimës investuese, të largojmë pengesat ndaj zhvillimit, ose të formulojmë politika specifike për sektorë të ndryshëm ekonomikë.


 8 qershor 2015