Në takimin e dytë me rradhë të KKZHE-së kumtohet themelimi i Fondit për Garanci Kreditore

Në takimin e dytë me rradhë të KKZHE-së kumtohet themelimi i Fondit për Garanci Kreditore

20/10/2019 - 23:45

Takimi i dytë (me përbërje te re)

Këshilli Kombëtar për Zhvillim Ekonomik të Kosovës (KKZHE), mbajti takimin e dytë, për të diskutuar për hapat e mëtutjeshëm për avancimin e reformave për zhvillimin ekonomik të Kosovës.

Ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, njëherësh kryesuese e KKZHE-së, Hykmete Bajrami, theksoi se ne jemi zotuar që  Këshillin Kombëtar për Zhvillim Ekonomik të Kosovës, ta shndërrojmë në një forum shumë të rëndësishëm për formalizimin e dialogut publiko-privat mes institucioneve të Kosovës dhe biznesit privat. “Ne, po ashtu jemi zotuar që Këshilli do t’i adresojë të gjitha sfidat e biznesit dhe investimeve dhe do të rekomandojë masa për institucionet e Republikës së Kosovës, për të krijuar politika të favorshme ekonomike dhe lehtësira për bizneset”, theksoi ministrja Bajrami.

Ajo më tej veçoi dy lajme të mira për bizneset, duke pohuar se ky vit do të jetë vit i përmirësimit real të klimës së biznesit në Kosovë, së pari: aprovimi i koncept-dokumentit për themelimin e Fondit për Garantim të Kredive, i cili kapitalin fillestar do ta krijojë kryesisht nga mbështetja e donatorëve, fillimisht nga USAID-i, KFW dhe SECO, të cilët janë zotuar që të kontribuojnë në këtë fond rreth 18 milionë euro. Ndërsa, Ministria e Tregtisë dhe Industrisë ka zotuar 1 milion euro me buxhetin e vitit 2015, dhe do të vazhdojë të përkrahë këtë fond edhe gjatë viteve në vazhdim. Qëllimi kryesor i këtij fondi është që ta adresojë një nga barrierat kryesore të biznesit që është qasja në financa dhe kostoja e lartë e kapitalit. Lajmi tjetër, vazhdoi më tej kryesuesja e KKZHEK-së, Hykmete Bajrami, është se Kuvendi i Kosovës, më 28 maj 2015, ka miratuar Ligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr.03/L-199 për gjykatat, përmes të cilit parashihet që në kuadër të Departamentit për Çështje Ekonomike të Gjykatës Themelore në Prishtinë, të funksionojë edhe Divizioni për Kontestet lidhur me investitorët e huaj, që do të ketë juridiksion për tërë territorin e Kosovës. Ky ligj do të shtojë edhe më tej sigurinë e investitorëve për të sjellë kapitalin e tyre në Kosovë.


30 qershor 2015