Këshilli Kombëtar për Ekonomi dhe Investime ka mbajtur takimin e 1-rë të kryesuar nga Kryeministri Hoti

Këshilli Kombëtar për Ekonomi dhe Investime ka mbajtur takimin e 1-rë të kryesuar nga Kryeministri Hoti

21/08/2020 - 19:06

Prishtinë, 20 Gusht 2020

Këshilli Kombëtar për Ekonomi dhe Investime (KKEI) ka mbajtur takimin e 1-rë, të kryesuar nga Kryeministri i Republikës së Kosovës z. Avdullah Hoti. KKEI u mbajt në format të ri-organizuar, si iniciativë e BERZH që përkrah Këshillim dhe Sekretariatin e saj. KKEI si platformë kyqe për dialog publiko-privat mbledhi Ministrat dhe insititucionet e ndërlidhura me ekonomi dhe investime si dhe përfaqësuesit e asociacioneve të bizneseve. Temë kryesore e këtij takimi ishte rimëkëmbja ekonomike si dhe hapat e nevojshëm për lehtësimin e funksionimit të bizneseve gjatë kësaj situate të krijuar nga pandemia. Më tutje, përfaqësuesit e Sekretariatit prezantuan riorganizimin e Këshillit Kombëtar për Ekonomi dhe Investime.

Në fjalën e mbajtur para anëtarëve të Këshillit, Kryeministri I Kosovës z. Avdullah Hoti, njëherit kryesues i Këshillit Kombëtar për Ekonomi dhe Investime, shprehu falënderimin e tij ndaj BERZH-it për mbështetjen e pakursyer për Sekretariatin dhe Këshillin në përpunimin e informacioneve rreth biznesit dhe ekonomisë në vend. 

Më tutje, Kryeministri vuri në pah nevojën për bashkëpunim ndërmjet institucioneve publike dhe atyre private në implementimin e pakos së rimëkëmbjes ekonomike si dhe hartimin e draft strategjisë së re zhvillimore për Kosovën në plan afatgjatë. Ai theksoi se ky plan do të zgjasë ne minimum 5 vjet, dhe i njejti do të arrijë shifrën prej afro 6 miliard Euro ndihmë për ekonomi.

Zv. Ministri i Ministrisë së Ekonomisë dhe Ambientit, z. Muharrem Nitaj, shprehu qëndrimet e kësaj ministrie ku tha se shtyllat kryesore për zhvillim ekonomik të qëndrueshëm mbetet furnizimi me kosto të përballueshme me energji elektrike, gjithmonë duke pasur parasysh obligimet ndaj mbrojtjes së mjedisit, zbatimi i reformave në ekonomi, zhvillimin e resurseve minerale, si dhe krijimin e kushteve të përshtatshme për zhvillimin e sektorit privat, duke u bazuar në inovacion dhe transformimin e ekonomisë drejt digjitalizimit. Zv. Ministri I Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë, z. Nexhat Ramadani, theksoi nevojën për subvencionimin e bizneseve të vogla dhe të mesme si dhe investimet strategjike si pjesë e planit për rimëkëmbjen ekonomike. Ndërsa, Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, z. Besian Mustafa, foli për rëndësinë e subvencionimit të produkteve esenciale bujqësore për të siguruar qëndrueshmërinë ushqimore. Më tutje, Ministri i Pushtetit Lokal, njëherit zv Kryeministri z Goran Rakic, potencoi se një shumë e ndarë prej 39 milion Euro në total, do të jetë në dispozicion të komunave në luftën kundër pandemisë, e cila do të përdoret edhe si ndihmë financiare për bizneset lokale.

Nga ana e sektorit privat, Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, z. Berat Rukiqi dhe z. Arian Zeka, Drejtor Ekzekutiv i Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë, filluan diskutimet e tyre duke theksuar se gjithë kjo situatë, përbën në vehte një mundësi të re transformimi për ekonominë e Kosovës. Për më tepër, Rukiqi shprehu shqetësimin rreth situatës në të cilën gjendet turizmi në vend. Në anën tjetër, z. Zeka shpalosi rekomandimet e tyre për nxitjen e investimeve të jashtme, si dhe rekomandimet për përkrahjen e sektorit të prodhimit dhe sektorit të gastronomisë sic janë: ulja e TVSH-së në 8% për pijet joalkoolike dhe kompanitë që ofrojnë mallra dhe produkte të sektorit HORECA, programimi i detyrimeve tatimore në periudhë 24 mujore, duke filluar nga data e fillimit te pandemisë, si dhe kompensimin e pagave te jete ne normen 35%.

Në vazhdim të diskutimeve rreth sektorit privat, z. Astrit Panxha, Drejtor i Klubit të Prodhuesve të Kosoves, kërkoi ndryshimin e ligjit për prokurim publik, duke u mundësuar prodhuesve vendor qasje më të lehtë në tenderet publike, si dhe largimin e tatimit në fitim për të hyrat e gjeneruara nga eksportet. Kryetari i Aleancës Kosovare të Bizneseve, z. Agim Shahini shpalosi idetë e tij rreth faljes së borxheve dhe ndëshkimeve të bizneseve si dhe shprehu shqetesimin e tij rreth ligjit te pages minimale. Ndërsa, Anëtari i Bordit të Këshillit të Investitorëve Evropian, z. Ardian Shehu, foli për rëndësinë e investimeve në teknologjinë digjitale dhe implementimin e saj në sektorin publik dhe atë privat.

Pas këtyre diskutimeve, znj. Lindita Daija, Udhëheqëse e Sekretariatit të Këshillit Kombëtar për Ekonomi dhe Investime, prezantoi iniciativat e Sekretariatit të KKEI-së lidhur me pakon e rimëkëmbjes, raportet analitike lidhut me ndikimin ekonomik të pandemisë dhe implikimet ligjore. Njëhëkohësisht znj. Daija prezantoi riorganizmin e KKEI-së, të bere në bashkëpunim të ngushtë me Kryeministrin dhe kabinetin e tij, në menyre që të reflektohen sa më mirë ndryshimet praktikat më të mira të Këshillave ekonomik dhe investiv në nivele botërore që përkrahen nga BERZH-i

Në fund Kryeministri i Kosovës, z. Avdullah Hoti u zotua se sektori privat do te jenë të inkuadruar në dizajnimin e kritereve për shpërndarjen e mjeteve në mënyrë që të arrihen kritere sa më gjithëpërfshirëse dhe transparente gjithashtu ai theksoi se do të punohet që këto mjete të shpërndahen sa më shpejt të jetë e mundur. Gjatë konkludimeve, Kryeministri z Hoti tha se pako e rimëkëmbjes do të jetë pjesë edhe e buxhetit të vitit 2021, duke marrë parasysh ndikimin e pandemisë në ekonominë e vendit. Poashtu, Kryeministri u pajtua me sygjerimet e pjesëmarrësve që të shfrytëzohet kjo situatë për transformim të ekonomisë se vendit dhe të i jipet më shumë vëmendje digjitalizimit të operacioneve ekonomike. Ndër të tjera, Kryeministri u zotua edhe per vënien në funksion të ligjit të prokurimit gjatë kohës së pandemisë, i cili i mundëson kompanive vendore të kenë qasje më të lehtë në tenderet publik si dhe mbështetjen e parezervë për bizneset e grave.

Takimi i Këshillit Kombëtar për Ekonomi dhe Investime u organizua në bashkëpunim të ngushtë mes kabinetit të Kryeministrit të Kosovës dhe Sekretariatit të KKEI i mbështetur nga BERZH.