Takimi i 2-të i KKEI

Takimi i 2-të i KKEI

24/11/2020 - 15:59

Këshilli Kombëtar për Ekonomi dhe Investime (KKEI) ka mbajtur takimin e 2-të, të kryesuar nga Kryeministri i Republikës së Kosovës, z. Avdullah Hoti. Për shkak të situatës me pandeminë COVID-19, ky takim u mbajt virtualisht.

Kryeministri i Kosovës z. Avdullah Hoti falënderoi Sekretariatin dhe anëtarët e KKEI për punën e bërë dhe bashkëpunimin e tyre. Ai prezantoi masat e ndërmarra nga qeveria gjatë kësaj periudhe si dhe theksoi se objektiv i qeverisë është që bizneset të mos ndalojnë operimin. Prandaj si pika kyçe, z.Hoti përmendi edhe krijimin e një pakoje të re fiskale brenda këtij viti, përfshirjen e bizneseve me nga një të punësuar si dhe përfshirja e fondit prej 182 milionë euro për rimëkëmbjen ekonomike në buxhetin e vitit 2021. Poashtu, gjatë këtij takimi, Kryeministri theksoi se është një listë e gjatë e projekteve infrastrukturore dhe energjetike, për të cilat komuniteti i biznesit dhe odat ekonomike, duhet të ndihmojnë në zbatimin e tyre.

Deklarata e Kryeministrit Hoti u mbështet nga zëvendësministri i Ministrisë së Financave, z. Agim Krasniqi, ku tha se ruajtja e shëndetit dhe e ekonomisë poashtu është ndër prioritetet kryesore të Qeverisë. Ministria e Financave ka paraparë një rënie ekonomike prej 6.7% nga e cila pritet të ndikohet direkt sektori privat, prandaj masat e parapra do të ndihmojnë rreth 16,000 biznese të cilat nuk janë mbështetur nga kriteret e vendosura mbi numrin e punëtorëve.

Në anën tjetër, zëvendësministri i Ministrisë së Ekonomisë dhe Ambientit, z. Muharrem Nitaj theksoi se që nga takimi i kaluar, disa tema nuk kanë përparuar fare. Z. Nitaj potencoi se sigurimi energjisë elektrike me kosto të përballueshme dhe në kohezion me mbrojtjen e mjedisit është baza e zhvillimit ekonomik. Fokusi kryesor i kësaj Ministrie është edhe ekonomia e gjelbër për të cilin z. Nitaj shpjegoi më gjerësisht hapat e ndërmarrur nga kjo Ministri. Aty konfirmua bashkëpunimi i ngushtë me Sekretariatin e KKEI kanë filluar punën në Grupin Punues për Ndërmarrësi dhe në krijimin e grupit punues për ekonominë gjelbër. Në fund, zëvendësministri Nitaj shfrytëzoi rastin të falenderonte Sekretariatin e KKEI për bashkëpunimin e tyre.

Ministri i Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë, z. Vesel Krasniqi fjalimin e tij e fokusoi në aktivitetet e Ministrisë që ai udhëheq duke prezantuar vendimet e ndërmarra në kuadër të përkrahjes për ekonominë dhe sektorin privat. Ndër të tjerash, z. Krasniqi njoftoi se në kuadër të mbështetjes nga Komisioni Evropian, MTI ka lansuar projektin "Asistencë për zbatimin e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit - Direktiva e Shërbimeve të BE," në vlerë prej 1 milion euro. Për më tepër, Ministria e Tregtisë dhe Industrisë në bashkëpunim me Ministrinë e Drejtësisë dhe Sekretariatin e KKEI, ka filluar takimet e grupit punues për Ligjin e Investimeve të Huaja si dhe theksoi se ky bashkëpunim do të vazhdojë për plotësim-ndryshimin dhe hartimin e kornizës ligjore për tregti.

Vadim Deleu përfaqësues i Komisionit Evropian në fjalimin e tij potencoi se Bashkimi Evropian do të mbështes luftimin e pandemisë dhe efekteve negative në ekonomi duke ofruar një asistencë prej 170 milion eurove dhe theksoi se pret që masat e ndërmarra të jenë në përputhje me rekomandimet e Bashkimit Evropian.

Udhëheqësja e Sekretariatit të KKEI, znj. Lindita Daija prezantoi notën përmbledhëse, që fokusohet në përmbushjen e rekomandimeve për sektorin privat në bazë të prioriteteve që janë përcaktuar nga analizat e bëra. Rekomandimet fokusohen në plotësim-ndryshim të Ligjit për Prokurim Publik, politikat fiskale si mjet i stimulimit të sektorëve më potencial, korniza legjislative për përkrahje të eksportit, diversifikimi i burimeve të energjisë, si dhe rregullimi i tregut të punës. Institucione të ndryshme parashikojnë tkurrje të ekonomisë së Kosovës në intervalet, rreth 7.2%, siç e parasheh Banka Qendrore e Kosovës, 6-7.5% sipas Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe 8.8% sipas parashikimeve të Bankës Botërore. Pritjet e rimëkëmbjes janë që të kthehet rritja ekonomike në nivelet e para pandemisë, me rritje rreth 4% deri në 6% në vitin 2021.

Puna e mëtejme do të vazhdoj përmes koordinimit të grupeve punuese sic janë: grupi punues për investimet e huaja direkte dhe plotësim ndryshimin e ligjit, grupi punues ndikimin e pandemisë covid-19 në punësim dhe skemat e subvencionimit për vende të punës në bashkëpunim me agjensionin e punësimit dhe MPMS, si dhe dy grupet e lartpërmendura nga MEA.

Nga ana e sektorit privat, Kryetari i Odës së Afarizmit të Kosovës, z. Skender Krasniqi filloi diskutimet e përfaqësuesve të sektorit privat duke theksuar nevojën për mbështetje për prodhuesit vendor dhe sektorin privat në përgjithësi. Z. Krasniqi argumentoi se masat aktuale kufizuese, të cilat përfshijnë edhe kufizimin e plotë të lëvizjes në mbrëmje, po kanë ndikim negativ, duke qenë që gjatë ditës nuk po respektohen rregullat ndërsa ekonomia po dëmtohet nga kufizimet. Në vend të kësaj, u sugjerua që kufizimeve të jenë më të ashpra gjatë gjithë kohës, por duke hequr kufizimet e qarkullimit. OAK në kuadër të Ligjit për Rimëkëmbje ka kërkuar të lirohet nga TVSH plotësisht lënda e parë për prodhues sikurse kur blihet jashtë vendit ashtu edhe brenda, të rritet Fondit Kosovar për Garanci Kreditore, të ulet norma e interesit nga BQK, në mënyrë që si rezultat të ulet norma e interesit nga bankat komerciale. Përveç kësaj, OAK ka kërkuar të trajtohet me prioritet Ligji për Investime Strategjike. Në vazhdimësi të kërkesave specifike, OAK ka kërkuar të hiqet kamata për kthimin e parave metalike në kartmonedha, si dhe të ulen tarifat e shfrytëzimit të POS-ave.

Në vazhdim të diskutimeve të sektorit privat, znj. Linda Shala, nga Dhoma Ekonomike e Grave të Kosovës – G7, bëri thirrje që sa më shpejt të kalojë në Kuvend Ligji për Rimëkëmbje Ekonomike. Për më tepër, znj. Shala theksoi që mbështetja nga Qeveria e cila i është ofruar bizneseve të grave, përveç mbështetjes materiale ka ndikuar pozitivisht edhe në besimin që Qeveria e Kosovës është duke punuar për të ndihmuar sektorin privat. Znj. Shala prezantoi tri kërkesa kryesore. Fillimisht sa i përket Fondit Kosovar për Garanci Kreditore, G7 e sheh tejet të nevojshme që të formohet një komisioni monitorues në shërbim të bizneseve, gjatë aranzhmaneve me Bankat Komerciale e ku Fondi është palë. Së dyti, është kërkuar trajtim të veçantë të bizneseve të regjistruara në ARBK si të vetëpunësuar, duke qenë që shumica e këtyre bizneseve janë biznese të grave që ofrojnë kryesisht shërbime të ndryshme e që janë ndikuar nga masat restriktive dhe janë shumë të ndjeshme. Në fund, në kuadër të Fondit Kosovar për Garanci Kreditore është kërkuar të hapet një dritare e veçantë me emërtimin "Inovacion" pë mbeshtetje të bizneseve Start Up dhe bizneseve të vogla nga fusha e IT si sektor me potencial zhvillues.

Z. Milazim Abazi, si përfaqësues i Odës Ekonomike Amerikane ka kërkuar nga Qeveria e Republikës së Kosovës, respektivisht Ministria e Financave, që të nisë sa më shpejtë të jetë e mundur hartimi i legjislacionit për fondet investive. Përveç (1) Ligjit për Fondet Investive, duke iu referuar përvojës së shteteve të tjera fqinje, Kuvendi i Kosovës do të duhej të aprovonte edhe (2) Ligjin për themelimin e Agjencisë për Regjistrimin e Letrave me Vlerë, dhe (3) Ligjin për Letrat me Vlerë, të cilat pastaj do t’i hapnin rrugë hartimit të rregulloreve specifike që sigurojnë përmbushjen e plotë dhe të drejtë të dispozitave (objektivave të ligjeve të sipërcekura).

Takimi përfundoi me ri-theksim nga ana e Kryeministrit për përgaditjen e pakos së re fiskale gjatë muajit Dhjetor 2020 e cila do t’i adresoj kërkesat e asociacioneve të bizneseve si dhe pakon e re për rimëkëmbje ekonomike prej 182 milion Euro për vitin 2021.