Sekretariati i KKEI organizon takim me temën “Ndikimi i Pandemisë COVID-19 në Punësim dhe Tregun e Punës në Kosovë”

Sekretariati i KKEI organizon takim me temën “Ndikimi i Pandemisë COVID-19 në Punësim dhe Tregun e Punës në Kosovë”

02/12/2020 - 14:02

Sekretariati i Këshillit Kombëtar për Ekonomi dhe Investime (KKEI) ka mbajtur sot takim lidhur me ndikimin e pandemisë COVID-19 në Tregun e Punës dhe Punësimin. Në këtë takim, të pranishëm ishin përfaqësuesit e sektorit privat, të institucioneve relevante dhe të organizatave ndërkombëtare partnere të KKEI.

Gjatë takimit u bisedua për ndikimin e pandemisë në tregun e punës në Kosovë, i cili edhe para fillimit të pandemisë ishte në gjendje jo të mirë, dhe posaçërisht rreth rëndësisë së hartimit dhe zbatimit të politikave të përshtatura për nevojat e ekonomisë së Kosovës, jo vetëm për tejkalimin e ndikimit negativ të pandemisë, por edhe për qasjen strategjike të zhvillimit të Kosovës.

Takimin e hapi znj. Lindita Daija, Drejtore e Sekretariatit të KKEI, e cila përmendi që raporti që u prezantua sot është vazhdimësi e punës së Sekretariatit të KKEI me analiza dhe raporte për ndikimin e pandemisë, duke theksuar që ekipi i Sekretariatit ka përgatitur edhe tri raporte të mëhershme, të cilat janë prezantuar dhe diskutuar me akterë relevantë. Këto raporte përfshijnë Modele të masave të propozuara për Qeverinë e Kosovës, Ndikimin ekonomik të Pandemisë COVID-19, dhe COVID-19: Implikimet Ligjore për Bizneset. Bashkëpunimi i vazhdueshëm i Sekretariatit me anëtarët e KKEI, në diskutimin e temave me rëndësi është qenësor në vendosjen e prioriteteve të sektorit privat drejt zhvillimit ekonomik.

Në prezantimin e tij, z. Muhamet Klinaku, Drejtorit të Departamentit të Tregut të Punës në Agjencinë e Punësimit, theksoi që shifrat e të regjistruarve si të papunë gjatë vitit 2020, në Agjencinë e Punësimit janë brengosëse, duke shënuar rritje prej rreth 130%, një numër i të cilëve vjen edhe nga sektori jo-formal. Politikat e punësimit, të cilat janë të nevojshme edhe kur nuk jemi duke kaluar krizë ekonomike, duhet të koordinohen dhe mbi të gjitha të kanalizohen fondet e subvencionimit të punësimit nëpërmes Agjencisë së Punësimit, në vend se të realizohen në mënyrë të pavarur nga secila ministri, tha ai.

Znj. Dita Dobranja, Eksperte Ekonomike e Sekretariatit të KKEI, prezantoi raportin "Ndikimi i Pandemisë COVID-19 në Punësim dhe Tregun e Punës në Kosovë." Gjatë prezantimit Dobranja theksoi që raporti përveç analizës së të dhënave ekzistuese mbi gjendjen e tregut të punës dhe projektimeve për ndikimin e pandemisë, gjithashtu vë në pah politikat të cilat mund të ndikojnë në zbutjen e efektit negativ të pandemisë. Duke ju referuar analizës, u vu në pah rritja e numrit të punëkërkuesve, posaçërisht, rritja jo-proporcionale e punëkërkueseve gra dhe grupmoshave të reja, grupe këto të nën-përfaqësuara në tregun e punës. Për më tepër, masat kufizuese për kontrollimin e pandemisë kanë ndikuar sektorë të ndryshëm në mënyra jo-proporcionale, gjë që e bën tejet të rëndësishme të analizohet ekonomia dhe të hartohen politikat të tilla që i adresojnë këto dallime. Niveli i lartë informalitetit gjithashtu mund të ndikojë në numër më të madh të atyre që humbin vendet e punës mirëpo që është vështirë të përfshihen në llogaritjet e humbjeve ekonomike. Sektorët më të ndikuar nga izolimi, si ai i HoReCa kanë edhe numrin më të lartë të punësuarve jo-formal. Rekomandimi kryesor i raportit është shfrytëzimi i mundësisë për t'i zbatuar politikat e tregut të punës, siç janë punësimi dual, punësimi alternativ, e programet e vetpunësimit, por edhe politika të trajnimit dhe ri-aftësimit të fuqisë punëtore, që të mundësohet lëvizja e fuqisë punëtore prej një sektori me vështirësi, në sektorët me potencial dhe nevojë. Përveç kësaj, është tejet e rëndësishme edhe koordinimi i të dhënave dhe statistikave, të tilla që të mundësojnë politik-bërje të bazuar në analiza dhe orientime strategjike të ekonomisë së Kosovës, tha Dobranja.

Gjatë takimit, znj. Saxhide Mustafa, nga Forumi Ekonomik i Grave, theksoi që edhe para fillimit të pandemisë, gratë kanë qenë të nënpërfaqësuara në tregun e punës, me nivel të lartë jo vetëm të papunësisë, por edhe nivel tejet të ulët të pjesëmarrjes në fuqi punëtore. Kjo ka ndikuar që gratë të jenë të punësuara në punë të paqëndrueshme, shpesh pa kontrata pune dhe asnjë siguri në punë. Në sektorin privat në Kosovë, 1 në 3 gra punojnë pa kontratë pune, gjë që ka rritur mundësinë që ato të largohen nga puna në mënyrë më të lehtë gjatë kohës së pandemisë. Mirëpo, duke u fokusuar në mundësitë për të ardhmen, znj. Mustafa ka thënë që fokusi në digjitalizim dhe ngritje të kapaciteteve përmes trajnimeve dhe aftësimit profesional, mund të ketë ndikim pozitiv afatgjatë në tregun e punës.

Sekretari i bordit të Odës së Afarizmit të Kosovës, z. Diamant Elshani theksoi shqetësimin për rritjen e numrit të papunësisë gjatë këtij viti si dhe rëndësinë e aprovimit të statusit të investitorëve strategjik të cilët janë në pritje për fitimin e statusit, e cila do të ndikonte jo vetëm në ekonominë e vendit, por drejtpërdrejtë edhe në rritjen e numrit të të punësuarve.

Znj. Lumnije Ajdini, nga Alenaca Kosovare e Bizneseve, duke ju referuar punës së vazhdueshme të AKB me bizneset anëtare, përmendi sfidat e të bërit biznes, të cilat janë rritur shumë gjatë pandemisë COVID-19. Bazuar në të dhënat e AKB, sektori i HoReCa ka shënuar rënie të qarkullimit mbi 70%, gjë që ndikon edhe në punësimin e mbi 13 mijë personave në këtë sektor. Përveç kësaj, znj. Ajdini theksoi që skemat sociale janë të ndërlidhura ngushtë me ekonominë jo-formale dhe me mungesën e formalizimit në sektorë të veçantë.

Si sektori me numrin më të madh të të punësuarve në Kosovë, tregtia gjithashtu ka qenë një ndër sektorët të cilët janë ballafaquar me sfida gjatë kësaj periudhe. Z. Albion Ujkashi, nga Rrjeti i Shitësve me Pakicë, prezantoi disa nga gjetjet e hulumtimit me biznese që operojnë në këtë sektor, duke i dhënë theks të veçantë faktit që edhe pse një numër i konsiderueshëm i tyre kanë regjistruar humbje gjatë kësaj kohe, punësimi në këtë sektor në përgjithësi nuk ka shënuar rënie.

Znj. Vjosa Mullatahiri, nga GIZ, shpalosi të dhënat dhe rekomandimet kryesore bazuar në përvojën e GIZ në tregun e punës në Kosovë. Sipas znj. Mullatahiri, projektet të cilat kanë pasur për qëllim vendosjen e të rinjëve në punë praktike në sektorin e teknologjisë informative, kanë vënë re që si rezultat i pandemisë, edhe sektori i TIK ka shënuar rënie të aktivitetit ekonomik, e si rezultat është ulur nevoja për pranimin e të rinjëve në punë praktike. Mirëpo, në anën tjetër, komponenta e projektit i cili ka pasur për qëllim mbështetjen e grave në biznes, ka rezultuar në hapje të rreth 30 bizneseve të grave, ndër të cilat edhe biznese që kanë rritur edhe numrin e të punësuarve. Një ndër gjetjet e përgjithshme nga projektet e mbështetjes së punësimit është që në hartimin dhe dizajnimin e masave aktive të tregut të punës, definimi duhet të bëhet i tillë që t'i përshtatet kërkesave të sektorëve specifik, në mënyrë që të arrijë suksesin e dëshiruar, tha ajo.

Takimin e përmbylli znj. Lindita Daija, Drejtore e Sekretariatit të KKEI-së, duke theksuar që takimi ka vënë në pah nevojën për të vazhduar me punë dhe rekomandime specifike për tregun e punës dhe punësimin në Kosovë. Burimet e financimit dhe kanalizimi i fondeve drejt Agjencisë së Punësimit, Investimet Strategjike si mundësi madhore për rritje të punësimit, si dhe krjimi i politikave tërheqëse për punësim, ishin vetëm disa nga temat me rëndësi që u rekomanduan në këtë takim.