Sekretariati i KKEI dhe përfaqësuesit e sektorit privat takohen me U.D e Presidentes së Kosovës njëherit edhe Kryetaren e Kuvendit të Kosovës

Sekretariati i KKEI dhe përfaqësuesit e sektorit privat takohen me U.D e Presidentes së Kosovës njëherit edhe Kryetaren e Kuvendit të Kosovës

04/12/2020 - 15:43

Sot, Sekretariati i Këshillit Kombëtar për Ekonomi dhe Investime së bashku me përfaqësuesit e sektorit privat në KKEI u prit në takim nga U.D e Presidentes së Kosovë njëherit edhe Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, dr.Vjosa Osmani.

Gjatë takimit u diskutua rreth temave me prioritet për sektorin privat, ligjeve të cilat janë me rëndësi për zhvillimin e sektorit privat dhe të ekonomisë në përgjithësi, si dhe mundësitë e bashkëpunimit të mëtejmë në mes të Kuvendit të Kosovës dhe KKEI.

Znj. Lindita Daija, Drejtore e Sekretariatit të Këshillit Kombëtar për Ekonomi, hapi takimin duke potencuar që Këshilli, si platformë e dialogut publik-privat, ka shërbyer për t'i kanalizuar kërkesat dhe brengat e sektorit privat drejtuar institucioneve, veçanërisht ministrive përgjegjëse për ekonominë. Si Sekretariat i KKEI, përveç që kemi mbledhur dhe filtruar rekomandimet e sektorit privat, ne po ashtu kemi zhvilluar analiza për të propozuar rekomandimet tona, të cilat janë përmbledhur në Notën Përmbledhëse e cila është prezantuar në mbledhjen e fundit të Këshillit, ka thënë znj. Daija.

Përfaqësuesit e asociacioneve të biznesit kanë paraqitur qëndrimet e tyre në lidhje me vonesën në miratimin e Projektligjit për Rimëkëmbje Ekonomike, duke potencuar vështirësitë me të cilat po përballen bizneset. Përveç pandemisë shëndetësore, sektori privat është përballur me pandemi ekonomike, e cila i ka dërguar shumë biznese pranë mbylljes.

Z. Arian Zeka, Drejtor Ekzekutiv i Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë, ka theksuar që lajmi që Ligji i Rimëkëmbjes ka tani mbështetjen e mjaftueshme për të kaluar votimin e dytë në Kuvend është i mirëseardhur. Mirëpo, Ligji ka mungesa dhe do të ketë nevojë për zbatim të plotë në mënyrë që të arrijë t'i ndihmoj sektorit privat. Përveç Ligjit të Rimëkëmbjes, ka ligje dhe akte tjera ligjore të cilat kanë nevojë të votohen në Kuvend, për të siguruar mbarëvajtjen e punës së sektorit privat dhe për t'i mundësuar zhvillim.

Znj. Lumnije Ajdini, nga Aleanca Kosovare e Bizneseve, në kuadër të çështjeve tjera të cilat duhet të marrin mbështetje në Kuvend, veçoi nivelin e pagës minimale në kuadër të Ligjit të Punës, duke theksuar se paga minimale në Kosovë nuk ka pësuar ndryshim që nga viti 2011, derisa llogaritjet tregojnë që ka nevojë të qartë që kjo të ndodhë.

Kryetarja e Kuvendit, dr. Vjosa Osmani, qartësoi që në Kuvendin aktual, ka pasur procesim të shpejt të ligjeve dhe çështjeve me rëndësi, të cilat shpesh mbesin peng e politikave partiake. Kjo gjë vlen edhe për masat për rimëkëmbje ekonomike, duke qenë që Ligji aktual për Rimëkëmbje nuk ka qenë i pari i këtij lloji i cili është proceduar në Kuvend.

Ndërsa, z.Besnik Beqiri, nga Oda Ekonomike Gjermano-Kosovare, përveç Rimëkëmbjes, theksoi që fokusi drejt Energjisë së Ripërtëritshme dhe burimeve alternative të energjisë duhet të jenë pjesë e fokusit të zhvillimit pas pandemisë.

Z. Emrush Ujkani nga Këshilli i Investitorëve parashtroi urgjencën e koordinimit të politikave dhe iniciativave të institucioneve për të siguruar pjesëmarrje të barabartë të Kosovës në fonde të Bashkimit Evropian, të dedikuara për Ballkanin Perëndimor.

Duke falenderuar Sekretariatin e KKEI për punën në koordinimin e kërkesave të sektorit privat dhe krijimin e një platforme të mirëfillt dialoguese, z. Diamant Elshani, nga Oda e Afarizmit të Kosovës, po ashtu theksoi që për OAK, procedimi dhe votimi i Ligjit për Investime Strategjike është tejet i rëndësishëm. Duke pasur parasysh numrin e konsiderueshëm të aplikimeve për investitorë strategjik, Qeveria e Kosovës duhet të vlerësojë këto aplikime dhe të mundësojë investimet, jo vetëm si investime, por edhe si krijues të vendeve të punës.

Znj. Saxhide Mustafa, nga Forumi Ekonomik i Grave, falendëroi dr. Osmani për përkrahjen që i ka dhënë Forumit për dispozitat e Ligjit të Punës dhe atij të Lehonisë, duke theksuar që këto dispozita krijojnë mundësi për diskriminim edhe më të madh të grave në tregun e punës. Përveç Ligjit të Punës, u veçua edhe nevoja për rishikim të Ligjit të Inspektimeve, për të rritur numrin e inspektorëve dhe inspektimeve.

Dr. Vjosa Osmani u pajtua që duhet të sigurohemi që Ligji i Punës nuk luan rol në kundërshti me parimet e barazisë dhe krijimit të mundësive të barabarta. Kjo vlen edhe për bordet dhe respektimin e Ligjit për Barazi Gjinore.

Znj. Lindita Daija, falendëroi Kryetaren e Kuvendit, dr. Osmani për takimin dhe theksoi tutje që roli i pavarur i Sekretariatit të Këshillit Kombëtar për Ekonomi dhe Investime siguron që bashkëpunimi mes sektorit privat dhe institucioneve, jo vetëm atyre ekzekutive, por në përgjithësi, të zhvillohet në platformë dialoguese dhe me mundësi diskutimi të çështjeve me rëndësi për zhvillimin strategjik ekonomik të Kosovës.