Takim virtual për inicimin e plotesim ndryshimit të ligjit për investime të huaja

Takim virtual për inicimin e plotesim ndryshimit të ligjit për investime të huaja

17/12/2020 - 08:46

Sekretariati i Këshillit Kombëtar për Ekonomi dhe Investime (KKEI) ka mbajtur sot një takim konsultativ virtual për nevojën e inicimit të plotësim ndryshimit të ligjit për investime të huaja. Në këtë takim, të pranishëm ishin përfaqësuesit e sektorit privat dhe të institucioneve relevante partnere të KKEI.

Udhëheqësja e Sekretariatit të KKEI, znj. Lindita Daija, theksoi se plotësim ndryshimi i ligjit për Investime të Huaja Direkte është e rëndësisë së veçantë. Në fjalimin e saj, znj. Daija theksoi 3 pikat kryesore që duhet të ndryshohen në këtë ligj siç janë përmirësimi i kuadrit ligjor për investime të huaja, të parashihen stimuj për investime të huaja si dhe minimizimi i barrierave nga ana e administratës publike.

Ndërsa Nol Buzhala, udhëheqës i KIESA, theksoi se si Agjencion detyra e tyre është të bëjnë promovimin e vendit tek investitorët e huaj potencial, mirëpo edhe pse nuk kemi pasur ankesa nga investitorët, në krahasim me vendet e rajonit, Kosova nuk ofron kushte më të favorshme për tërheqjen e investitorëve.

Drejtori i Departamentit Ligjor në MTI, z. Rexhep Bllaca, theksoi se ky ligj është në përputhje të plotë me legjislacionin dhe praktikat ndërkombëtare për sa i përket trajtimit të investimeve të huaja direkte. Sidoqoftë, ne duhet të jemi konkurues me vendet e rajonit në procesin e tërheqjes së investimeve të huaja, andaj së bashku me Ministrinë e Drejtësisë, kemi bërë kërkesë në zyrën ligjore të zyrës së Kryeministrit për përfshirjen e këtij ligji në agjenden e planit legjislativ të vitit 2021, theksoi ai.

Floriana Rugova, Drejtore e Departamentit Ligjor në Ministrinë e Drejtësisë, njoftoi se është bërë kërkesa që plotësim ndryshimi i ligjit për Investimet e Huaja Direkte të jetë pjesë e agjendës së planit legjislativ të vitit 2021, dhe nëse për këtë ligj kërkohet koncept dokument, Ministria e Drejtësisë do të jetë pjesë e grupit punues. Po ashtu, znj. Rugova theks të veçantë i dha çështjes së arbitrazhit dhe Gjykatës Komerciale të cilën tha se së shpejti do të krijohet dhe do të shërbejë si pikë referimi për çështjet e ngritura nga investitorët e huaj.

Drejtori Ekzekutiv i Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë, z. Arian Zeka, po ashtu potencoi se nuk ka pasur ankesa nga investitorët, dhe se ligji është shumë i avancuar. Mirëpo, si ligj, disa nene lënë mundësi për keqpërdorime. Në të njëjtën kohë, z. Zeka theksoi rëndësinë e përfshirjes së arbitrazhit dhe gjykatës komerciale, në këtë ligj.

Skender Krasniqi, nga Oda e Afarizmit të Kosovës, theksoi se ligjet janë të mira, mirëpo janë jo të zbatueshme për shkak të politikave të tjera. Meqë ky ligj skadon në fund të këtij viti, është e rëndësishmë të rishikohet, dhe t’i kushtohet më shumë vëmendje trajtimit të investitorëve të huaj.

Nga Aleanca Kosovare e Biznesit, z. Agim Shahini, theksoi se është e rëndësisë së veçantë që arbitrazhi të jetë pjesë e këtij ligji, si dhe të bëhet plotësim ndryshimi i këtij ligji duke qenë që ka disa mangësi dhe është jo i zbatueshëm shpeshherë për shkak të burokracisë institucionale.

Eksperti Ligjor pranë Sekretariatit të KKEI, z. Gent Nushi potencoi se Legjislacioni për Investime në Kosovë përfshin Ligjin për Shoqëri Tregtare, për Investime Strategjike, për Investime të Huaja, Ligjin për Zonat Ekonomike si dhe Ligjin për Mbrojtjen e Konkurencës. Ligji aktual u ofron investitorëve të huaj trajtim të barabartë me investitorët vendor. Sipas ligjit, investimet e huaja nuk mund të shpronësohen apo shtetëzohen, me përjashtim të rasteve të veçanta kur kjo është në interes të përgjithshëm. Në rastet kur një shpronësim I tillë ndodh, investitorit i lind e drejta të kompenzohet. Për më tepër, investitori ka të drejtë t’i drejtohet gjykatës ose arbitrazhit për kompenzim për dëmet dhe harxhimet e krijuara si pasojë e veprimit apo mos veprimit kundrejt investitorit të huaj. Sekretariati i KKEI ka bërë një analizë të këtij ligji dhe ka propozuar disa ndryshime që kanë të bëjë: me përkufizimet në ligj, definimin e qartë të termave “investim i huaj”, “investim vendor”, “marrëveshje”, etj. Po ashtu, në ligj mund të parashihet edhe përfshirja e Avokaturës Shtetërore si institucion kompetent për mbrojtjen e vendit nga kërkesat e invstitorëve në gjykata apo arbitrazhin ndërkombëtar. Gjykata komerciale e cila tashmë është gati të formohet, duhet të përcaktohet si gjykatë kompetente për adresimin e çështjeve që lidhen me investimet. Për më tepër, Ligji të parasheh mekanizma të efektshëm për menaxhimin e ankesave si zgjidhjes së ankesave të investitorëve që në fazën paraprake, duke evituar që investitorët të drejtohen për zgjidhje instancave tjera më të larta administrative, gjyqësore apo edhe atyre të arbitrazhit ndërkombëtar. Sa i përket nenit 16 të ligjit, e drejta e investitorëve të paraqes kërkesë për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve në  Arbitrazh ndërkombëtar nuk duhet larguar nga Ligji, por mund të plotësohet në atë mënyrë duke kategorizuar palët në kontest si dhe lëndën e kontestit dhe në këtë mënyrë të përcaktoj edhe organet kompetente për zgjidhjen e tyre, tha Nushi.

Avokati i përgjithshëm i shtetëror, z. Sami Istrefi theksoi se së bashku me grupin koordinues konsultativ, janë koordinuar për plotësim ndryshimin e këtij ligji me qëllim të krijimit të kushteve sa më të favorshme për investitorët e huaj. Me theks të veçantë, z. Istrefi potencoi ndryshimin e nenit 16, dispozitë kjo e cila lë vend për keqpërdorime nga investitorët vendor.

Drejtori Ekzekutiv i Këshillit të Investitorëve Evropian, z. Emrush Ujkani shprehu falenderimet e tij ndaj Sekretariatit të KKEI dhe tha se Këshilli Kombëtar për Ekonomi dhe Investime është vendi ku tema të tilla, si plotësim ndryshimi i ligjit për Investime të Huaja duhet të shtrohen. Anëtarët e Këshillit të Investitorëve Evropian, nga 6 sektorë të ndryshëm kanë dërguar Qeverisë së Kosovës 33 rekomandime. Ndër kërkesat e tjera të cekura nga Z. Ujkani, ishte edhe lehtësimet fiskale ndaj Investimeve të Huaja Direkte.

Takimin e mbylli udhëheqësja e Sekretariatit të KKEI, znj. Lindita Daija, duke konkluduar se do të bëhet një analizë e thellë rreth këtij ligji dhe se takimet e tilla konsultative e koordinuese do të vazhdojnë edhe më tutje deri në arritjen e një zgjidhjeje të përshtatshme përfundimtare.