Kryeministri i vendit thekson rëndësinë e Planit Nacional për Zhvillim në takimin e tretë të KKZHE-së (me përbërje të re)

Kryeministri i vendit thekson rëndësinë e Planit Nacional për Zhvillim në takimin e tretë të KKZHE-së (me përbërje të re)

27/01/2020 - 11:59

Takimi i tretë (me përbërje te re)


Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, mori pjesë në takimin e radhës të Këshillit Kombëtar për Zhvillim Ekonomik.

Në fjalën e mbajtur para anëtarëve të Këshillit, kryeministri Mustafa tha se përkundër agjendës mjaft intensive politike, Qeveria e ka mbajtur fokusin themelor në zhvillimin ekonomik, në punësim dhe në intensifikimin e përpjekjeve që të ndihmoj bizneset në mënyrë që të filloj ngadalë zgjidhja e çështjeve ekonomike për të cilat është zotuar.

“Është duke u punuar në mënyrë intensive në Planin Nacional për Zhvillim, ku Qeveria, me ndihmën e të gjithë akterëve relevant, do të qartësojë rrugën, strategjinë, masat për zhvillim më të shpejt ekonomik, duke definuar shumë më qartë prioritetet në të cilat ne do të angazhohemi në periudhën e ardhshme kohore. Në të njëjtën kohë, ne jemi duke punuar në disa sektorë strategjik, sa i përket përmirësimit të legjislacionit, dhe përmirësimit të politikave, të cilat mundësojnë tërheqjen e investimeve të huaja, do të nxisin investime të brendshme, nxisin punësimin dhe rritjen e qëndrueshme ekonomike”, theksoi kryeministri Mustafa.

Kryeministri Isa Mustafa po ashtu ka folur për pakon fiskale, Ligjin mbi Investimet Strategjike, Ligjin për Garantimin e Kredive, alternativat e furnizimit me energji elektrike, mundësitë e çuarjes përpara të projektit të ndërtimit të Kosovës së Re dhe alternativave tjera, marrëveshjet me Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim dhe me Bankën Evropiane për Investime për angazhimin e tyre në projekte të reja, projektin e Brezovicës, çështjen e zbatimit të kontratave, përfshirjen më të madhe të shoqërisë civile në politikbërjen ekonomike si dhe përkrahjen më të madhe të medieve që ato të luajnë një rol shumë më të madh në proceset e zhvillimit ekonomik.


8 shtator 2015