Takimi i pestë i KKZHE (me përbërje të re), radhit sukseset dhe të arriturat e vitit 2015

Takimi i pestë i KKZHE (me përbërje të re), radhit sukseset dhe të arriturat e vitit 2015

27/01/2020 - 12:05

Takimi i pestë (me përbërje te re)


Këshilli Kombëtar për Zhvillim Ekonomik të Kosovës (KKZHE), mbajti më 22 Shkurt 2016 takimin e pestë, ku u diskutua për avancimin e mëtejmë të reformave për përmirësimin e ambientit të të bërit biznes dhe zhvillimin ekonomik të Republikës së Kosovës.

Ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, znj. Hykmete Bajrami, në cilësinë e koordinatores së KKZHE-së, theksoi se viti që lamë pas ishte mjaft sfidues dhe me zhvillime të bujshme politike dhe ekonomike. Ajo, përmendi disa prej zhvillimeve kryesore ekonomike gjatë vitit të shkuar, si nënshkrimi i Marrëveshjes për Stabilizim Asociim, për të cilën tha se Qeveria e Kosovës në dhjetor të vitit të shkuar ka miratuar Programin Kombëtar për Zbatimin e Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit. Më tej, ministrja Bajrami tha se “Përkundër sfidave të shumta, viti 2015 ka shënuar një kthesë të rëndësishme në tërheqjen e investimeve të huaja direkte, që, sipas të dhënave të Bankës Qendrore të Kosovës, deri në fund të muajit nëntor, kanë arritur në mbi 315 milionë euro. Poashtu, në janar të këtij viti është aprovuar nga Qeveria e Kosovës edhe Strategjia Kombëtare për Zhvillim që paraqet dokumentin bazë për orientimet strategjike të Republikës së Kosovës gjatë 5 viteve të ardhshme, për të cilën poashtu kemi debatuar në mbledhjen e kaluar të Këshillit, theksoi znj. Bajrami, e cila shtoi se, me qëllim të thjeshtëzimit të procedurave për investime dhe përmirësim të ambientit të të bërit biznes janë ndërmarrë veprime substanciale, ndër të cilat, përmendi Projektligjin për Investime Strategjike që është miratuar nga Qeveria dhe tashmë pret aprovimin e tij në Kuvendin e Kosovës; ndryshimin e ligjeve të pakos fiskale, të cilat kanë hyrë në fuqi më 1 shtator 2015 dhe kanë përmirësuar dukshëm ambientin e të bërit biznes në Kosovë; miratimin e Ligjit për Fondin për Garantimin e Kredive, funksionalizimi i të cilit fond pritet të bëhet së shpejti; nxjerrjen e Udhëzimit Administrativ për aplikimin e pushimeve tatimore, etj. Ministrja Bajrami nënvizoi se “KKZHE është shndërruar tashmë në një forum të rëndësishëm të dialogut publiko-privat në mes të institucioneve të Kosovës dhe komunitetit të biznesit, ku gjatë katër mbledhjeve të mbajtura në vitin 2015 kemi adresuar tema dhe çështje të rëndësishme për biznesin dhe investimet dhe kemi rekomanduar masa për institucionet e Republikës së Kosovës për të krijuar politika të favorshme ekonomike dhe lehtësira për bizneset.” Ajo që ka qenë shenjë dalluese e Këshillit deri më tani është se agjenda e të gjitha mbledhjeve të tij deri më tani është bazuar në propozimet dhe kërkesat e komunitetit të biznesit dhe besoj që kështu duhet të jetë edhe në të ardhmen, tha znj. Bajrami.

Sekretariati si dhe kryesuesit e grupeve punuese të KKZHE-së raportuan rreth progresit të arritur në përmbushjen e detyrave me të cilat kanë qenë të ngarkuar nga mbledhja e katërt e KKZHE-së.

Në këtë mbledhje, Këshilli diskutoi rreth progresit të arritur në procesin e zbatimit të reformave të ndërlidhura me Raportin e Bankës Botërore “Të Bërit Biznes”, për të cilin proces, Qeveria e Kosovës, në dhjetor të vitit të shkuar, ka nxjerrë vendimin për koordinimin e reformave, ku parashihet bashkërendimi më i mirë i aktiviteteve që duhet të ndërmerren nga institucionet e vendit për përmirësimin e mjedisit afarist në përgjithësi dhe adresimin e çështjeve specifike që dalin nga Raporti vjetor i Bankës Botërore për “Të Bërit Biznes.” Vendimi i Qeverisë obligon secilën nga ministritë udhëheqëse të krijojë grupe të veçanta punuese për secilin indikator të raportit të Bankës Botërore. Rreth kësaj, Këshilli konstatoi se disa nga ministritë tashmë i kanë themeluar grupet punuese dhe u kërkua që edhe ministritë tjera t’i formojnë sa më shpejt ato, në mënyrë që Task Forca për “Të Bërit Biznes”, e udhëhequr nga Ministria e Tregtisë dhe Industrisë të bëjë koordinimin e punëve me këto grupe. Në lidhje me këtë temë u prezantua edhe një kornizë analitike rreth metodologjisë së raportit “Të Bërit Biznes” të Bankës Botërore, nga eksperti i Bankës Botërore.


22 shkurt 2016